Nisma e fundit e kryeministrit Edi Rama, për denoncimin e praktikave abuzive në zyrat e shtetit, në kuadër të reformës radikale në administratën publike, është ezaurouar nga një tjetër projekt qeveritar për denoncimin e korrupsionit, zbatimi i të cilit ka nisur që në mars të 2015.
Pra, lista e zezë e publikuar dy ditë më parë, nuk është gjë tjetër veçse një projekt i nisur që në mars të 2015. Por, ndryshe nga grupi i punës për reformimin rrënjësor të rrjetit të zyrave të shtetit, i cili nuk ka një bazë ligjore, faqja unike për denoncimin e korrupsionit në zyrat e shtetit është ndërtuar me urdhrin e kryeministrit nr. 30, datë 05.03.2015. Gjithashtu, një ndryshim tjetër konsiston në faktin se tashmë kryeministri po publikon emra pa verifikuar vërtetësinë e informacionit, ndërsa portali unik, jo vetëm nuk ka publikuar asnjë emër, por nga mbi 17 mijë denoncime, ka referuar vetëm 100 raste në prokurori. Ky bilanc konfirmon që, ose denoncimet kanë qenë thjeshtë thashetheme ose se grupi i përgjegjës nuk i ka shqyrtuar me seriozitet ankesat.