Lumturi Dhrami, një nga artistet më të shquara në artin grafik, për herë të parë dhe të fundit, ka patur mundësinë të ketë një ekspozitë që mban firmën e saj. Ekspozita retrospektivë e artistes është çelur në Galerinë Kombëtare të Arteve.
E kuruar nga Ylli Drishti, ekspozita është një prezantim i plotë i krijimtarisë së Dhramit në grafikë në një periudhë 30-vjeçare.
Lumturia renditet e para artiste femër e diplomuar për Grafikë, e cila dha një kontribut shumë të rëndësishëm në zhvillimin e kësaj gjinie.
Në veprën e Dhramit mbizotëron grafika e thjeshtë, realiste e që komunikon me publikun.
Pavarësisht realitetit dhe atmosferës artistike, apo ndikimeve politike e sociale, Lumturi Dhrami përdori vazhdimisht elementet modernë të grafikës dhe veprat e saj mbeten një vlerë e pamohueshme në artin pamor shqiptar.