Iniciativa për reformimin e PDSH-së do të vazhdojë edhe në qytete të tjera. Pas vizitës në Çegran, udhëheqësi i iniciativës Ziadin Sela paralajmëroi vizita edhe aty ku PDSH-ja nuk ka struktura të saja, për të rimëkëmbur opozitën shqiptare. Sela synon që paralelisht me reformimin e brendshëm të PDSH-së, të provojë edhe kthimin e të larguarve nga kjo parti, për ta bërë PDSH-në parti shpresëdhënëse dhe fitimtare.
"Do të ketë vizita të ngjashme në të gjitha vendbanimet e tjera, atje ku PDSH-ja ka struktura ekzistuese, por edhe në ato vendbanime ku PDSH-ja nuk ka arritur të ketë nëndegë dhe struktura të tjera funksionale. Unë e kam paralajmëruar që kjo do të jetë një aktivitet i gjatë, nuk do të shpejtojmë, që të mos gabojmë në hapa, dhe përfundimisht të sjellim reformën brenda PDSH-së, dhe në të njëjtën kohë edhe fitoren e këtij subjekti në skenën politike në Maqedoni", tha Ziadin Sela, Kryetar i Komunës së Strugës.
Rinia e PDSH-së ndërkohë reagoi ndaj vizitës së Selës në Çegran duke thënë se ai nuk mund të flet në emër të PDSH-së. Duke komentuar reagimin e Rinisë së Gostivarit, Sela thotë se bëhet fjalë më tepër për diktat të Menduh Thaçit.
"Janë struktura të formuara me çelësat personale të z. Thaçit. E keqja është që vazhdojnë me logjikën e vjetër të funksionimit të z. Thaçi, i cili kërcënon dhe shantazhon njerëz. Por nuk mendoj që deklarata e tyre është shprehur sepse ashtu mendojnë, sepse pamë një reagim pa emër mbiemër, por ishte një deklaratë e diktuar nga z. Thaçi", deklaroi Ziadin Sela, Kryetar i Komunës së Strugës.
Si bazë për iniciativën e tij për reformim, Sela thotë se do të ketë Marrëveshjen Politike të sjellë në 2009-tën nga PDSH-ja, ku synohej parlament dydhomësh dhe demokraci konsensuale. Benjamin Arifi