VLORE- Banorët e një pallati në Vlorë prej vitit 2009 jetojnë çdo ditë me frikën që mund të shembet dhe t'i zërë poshtë. E gjitha kjo për shkak të lejes për ndërtimin e një shtese në katin e parë që mban firmën e kryetarit të bashkisë Shpëtim Gjika.
Mihal Gjinko, njëri prej banorëve tregon sorollatjet prej 5 vitesh në institucionet që ka trokitur për të gjetur një zgjidhje.
Leja u anulua nga vetë Gjika, pas ankesave të banorëve të cilët konstatuan çarjet në kolonat dhe muret e pallatit si pasojë e punimeve për shtesën.
Por kjo nuk mund të ishte e mjaftueshme për banorët, pasi pallati është i pasigurt në raste lëkundjesh sizmike, dhe atyre nuk i është dhënë asnjë mënyrë zhdëmtimi apo zhvendosjeje të tyre në banesa më të sigurta.
Ndërsa as pronari dhe as ekspertët që i dhanë lejen për të ndërhyrë me punimet në pallat nuk kanë marrë asnjë përgjegjësi ligjore, për ndërhyrjen e pastudiuar mirë për shtesën në këtë pallat.