TIRANE - Komisioni Hetimor për lëvizjet në Policinë e Shtetit ka thirrur sot për të dëshmuar edhe ish- Zv.Drejtorin e Policisë së Tiranës, Erzen Breçanin. Breçani deklaroi se është shkarkuar për shkak të origjinës së tij nga veriu dhe hakmarrjes së Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri : "Kam 21 vjet karrierë; kam luftuar me bandat e kriminelëve; kam disa çertifikata mirënjohjeje dhe dekoratë,"- tha ai. - "Me deputetët e opozitës jam konfliktuar vetëm kur kanë shkelur ligjin, por asnjëherë nuk i kam fyer ata."
Përsa i përket mesazhit në Fb, publikuar në profilin e tij në verën e 2013-ës, Breçani tha se nuk ishte postuar prej tij, por prej djalit 10-vjeçar dhe kjo çështje ishte sqaruar. Në atë mesazh, drejtuar ish-Kryeministrit Berisha, Breçani shprehej për Ramën: "Do ngrihemi, që të mos e lëmë këtë Hitler të gjunjëzojë shqiptarët!"
Sot, gjatë dëshmive, kreu i Komisionit, Arben Ristani, i ka tërhequr vëmendjen deputetit socialist Balla të mos përdorë terma fyes ndaj punonjësve të policisë, të tillë si Tarzan. Pas dëshmisë së Breçanit, Komisioni vendosi të mbyllë punën për sot dhe për të vazhduar të premten,
Mbledhja e sotme e Komisionit Hetimor për lëvizjet në polici ka nisur me dëshminë e sh-Shefit të Antikrimit Ekonomik Arjan Hoxha, e cila u ndërpre ditën e djeshme. Hoxhaj tha se shkarkimi i tij dhe 7 kolegëve të tjera erdhi pas realizmit të një operacioni. "11 milionë euro asete i sekuestruam me skuadrën e krimit ekonomik", tha Hoxhaj.
I pyetur nga deputeti Lutaj lidhur me arrestimin e gabuar të babait të ministrit Tahiri dhe përfundimin e operacionit, Hoxhaj tha se "ju më hoqët nga detyra, s'di çbëhet me këtë çështje". Ndërsa deputeti Noka e ka pyetur lidhur me shkarkimin, nëse ka patur masa disiplinore ndaj tij, apo diplome false.
"S'kam patur asnjëherë masë disiplinore, por veç vlerësime, shpërblime. Nga Ardian Çipa kam marrë vlerësimin shkëlqyer. Shkarkimi im dhe i strukturës sime është hakmarrje personale dhe politike. Sot kam marrë vërtetimin tek akademia, jua vë në dispozicion, kërkoj nga deputetët të kërkojnë ndjesë", tha Hoxha. Por, Balla e kundështoi: "Nuk kemi kërkuar këtë listë notash, por të vitit 1999, e cila është falsifikuar. Ne kemi depozituar provën për falsifikim dhe tashmë ju duhet një avokat."