Akuza të reja të PDSH-së për korrupsion në adresë të BDI-së. Sipas anëtarit të kryesisë së PDSH-së Bekim Fazliu, Ministri i Mbrojtjes Talat Xhaferi ka angazhuar deputeten e BDI-së Ermira Mehmeti për shërbime konsultative në favor të Ministrisë së Mbrojtjes, për të cilat Mbrojtja ka paguar 30 mijë denarë në muaj. Marrëveshja është lidhur më 7 maj të vitit 2013.
"Kjo është kontrata e lidhur në mes të Talat Xhaferit, ministër i mbrojtjes së BDI-së dhe Ermira Mehmetit deputete e BDI-së, me të cilën Talati obligohet ti paguaj Ermirës 500 euro në muaj. Shtrohet pyetja cilat janë ato shërbime që i paguhen Ermirës? Në ndërkohë shqiptarët kanë problem me sigurimin e ekzistencës dhe mijëra të rinj shqiptarët të diplomuar nuk kanë mundësi të sigurojnë vende pune", deklaroi Bekim Fazliu, PDSH
Lidhur me përmendjen e emrit të saj, Ermira Mehmeti tha se bëhet fjalë për akuza të pabaza të PDSH-së. Ajo tha se secili që dyshon për çfarëdo aferash korruptive, mund të shohë ku dhe në çfarë kushtesh jeton Ermira Mehmeti. Por sipas saj, ajo që aktualisht është me rëndësi, është takimi mes liderit të PDSH-së Menduh Thaçi dhe Sasho Mijallkovit në Sushiko në Shkup.
"Pyetja themelore e cila parashtrohet sot, dhe për të cilën interesohet secili shqiptar në Maqedoni është për çfarë shërbimesh ranë dakord lideri i PDSH-së dhe Drejtori i Shërbimit Sekret në darkën misterioze në restorantin "Sushico" në Shkup. A mos vallë kjo ishte një darkë për të korruptuar interesat politike të secilit shqiptarë në Maqedoni, duke e bërë kurban Iljaz Halimin për të mbrojtur pronat e "Interprometit" në Tetovë?", tha Ermira Mehmeti, BDI
Edhe gjatë ditës së djeshme përfaqësuesit e BDI-së kishin kërkuar përgjigje për temën e diskutimit në takimin mes liderit të PDSH-së Menduh Thaçi dhe Drejtorit për Siguri dhe Kundërzbulim Sasho Mijallkov. Kërkesa e tillë e BDI-së pasoi akuzat e PDSH-së në adresë të Ministritë të Mbrojtjes, Talat Xhaferi për blerjen e 100 ekzemplarëve të librave nga mentori i tij i magjistraturës.Benjamin Arifi