¡Sorpréndeme!

Vigenin: Maqedonia dhe Bullgaria kanë afruar qëndrimet për fqinjësi të mirë

2015-08-21 0 Dailymotion

Ndryshe nga homologu i tij maqedonas, Ministri i Jashtëm i Bullgarisë Kristijan Vigenin theksoi se Bullgaria dhe Maqedonia kanë afruar qëndrimet për sa i përket firmosjes së marrëveshjes për fqinjësi të mirë. Pas takimit me shefin e diplomacisë maqedonase Nikolla Poposki, Vigenin u shpreh madje se ka ardhur koha që dialogu mes Sofjes dhe Shkupit të shfaqë rezultate konkrete.

"Negociatat tona për sa i përket Marrëveshjes për fqinjësi të mirë, miqësi dhe bashkëpunim vazhdojnë. Mendoj se muajt e fundit kemi arritur progres, dhe se politika jonë është që, paralelisht me bisedimet të përpiqemi të thellojmë bashkëpunimin edhe në sfera të tjera gjë që do të krijojë një atmosferë më të mirë në marrëdhëniet tona.... Ne do të vazhdojmë këtë dialog politik, do të përpiqemi me veprime konkrete të dëshmojmë se ekziston dëshira nga të dyja palët, që këto probleme për të cilat flasim, të zgjidhen dhe të ndërmarrin hapa pozitive konkrete sepse bisedimet janë të rëndësishme, dialogu është shumë i rëndësishëm, por ai duhet të fillojë të jap edhe rezultate konkrete. Unë shpresoj se shumë shpejt do të mund të arrijmë tek këto rezultate konkrete dhe ato, të vlerësohen pozitivisht dhe gradualisht pa nxitim të panevojshëm të arrijmë në firmosjen e kësaj marrëveshjeje dhe paralelisht të hapim horizonte të reja për marrëdhëniet tona", deklaroi Kristijan Vigenin, Ministër i Jashtëm i Bullgarisë.

Por Ministri i Jashtëm Nikolla Poposki ishte më pak entuziast. Ai nuk deshi të zbardhte se në çfarë faze kanë avancuar bisedimet me Bullgarinë. Megjithatë Poposki tha se për të, progres paraqet vetë komunikimi i hapur mes Shkupit dhe Sofjes.

"Progres i rëndësishëm është fakti që kemi komunikim të hapur dhe diskutojmë edhe për ato tema për cilat kemi qëndrime të ndryshme. Por është shumë e rëndësishme që jemi të hapur dhe përpiqemi të arrijmë zgjidhje me të cilat do të jenë të kënaqura të dyja palët, ky është qëllimi ynë.. kolegët tanë bullgarë janë të njohur me çështjet e ndjeshme në Maqedoni edhe ne jemi të njohur me çështjet e ndjeshme në Bullgari", u shpreh Nikolla Poposki, Ministër i Jashtëm i Maqedonisë.

Ministri i Jashtëm i Bullgarisë Kristijan Vigenin tha se Maqedonia mund t'i kapërcejë dallimet me Sofjen, dhe paralelisht të afrojë qëndrimin lidhur me çështjen e emrit me Greqinë, për të shënuar një hap më përpara në rrugën e saj evropiane. Por Vigenin kujtoi se anëtarësimi i vendit nuk kushtëzohet vetëm nga fqinjësia e mirë por edhe zhvillimet e brendshme, të cilat Bashkimi Evropian i monitoron nga afër. Vigenin gjithashtu tha se viti 2014 do të jetë plotë sfida, pasi në kohën e zgjedhjeve në Parlamentin Evropian dhe Komisionin Evropian, procesi i zgjerimit mund të humbas peshën që kishte deri më tani. Semra Jakupi