Programet mësimore të Britanisë së Madhe për lëndën e matematikës dhe shkencave natyrore nga viti i ardhshëm shkollor do të implementohen edhe në vendin tonë. Kjo parashihet me marrëveshjen mes Byrosë për zhvillim të arsimit të Maqedonisë dhe Qendrës ndërkombëtare për programe mësimore të Kembrixhit në Britani të Madhe. Kjo marrëveshje 5 vjeçare përfshin adaptimin e programeve mësimore për këto dy lëndë duke filluar nga klasa e parë deri në klasë të nëntë. Marrëveshja përfshin edhe librat falas, trajnimin e mësimdhënësve si dhe monitorim dhe verifikim të projektit.
"Dilemat nëse një libër i caktuar apo program mësimor është i mirë ose jo, nëse përshtaten për moshën ose jo, shkojnë në histori pasi nxënësit në Maqedoni do të mësojnë nga librat dhe programet mësimore të njëjta si edhe nxënësit në Britani të Madhe, të përshtatura sipas veçorive tona nacionale...Fakt është se qëllimi kryesor është sigurimi i sistemit më kualitativ arsimor nga gjithë ajo që ishte karakteristik në të gjitha sistemet arsimore në Maqedoni dhe rajon në 50 vitet e kaluara", tha Spiro Ristovski ministër i arsimit.
"Për projektin këtu në Maqedoni detyra jonë është që të punojmë në përmirësimin e rezultateve për lëndën e matematikës dhe shkencave natyrore duke filluar nga klasa e parë deri në klasën e tretë e cila do të implementohet në të gjitha shkollat fillore në Maqedoni duke filluar nga muaji shtator 2014. Do të punojmë me kolegët nga byroja për zhvillim të arsimit që ta përshtatim programin mësimor të Kembrixhit, për shkollat fillore për lëndën e matematikës, për nevojat e nxënësve të Maqedonisë dhe t'i trajtojmë mësimdhënësit për këtë program të ri mësimor", deklaroi Majkëll Osalivan, drejtor i qendrës ndërkombëtare për programe mësimore Kembrixh.
Reforma arsimore pritet të përfundoj me fillimin e vitit shkollor 2016/17. Nëse projekti dëshmohet i suksesshëm nuk përjashtohet mundësia e zgjerimit të tij edhe në arsimin e mesëm. Universiteti i Kembrixhit sipas rang listës së fundit të Institutit për arsim të lartë, radhitet në vendin e pestë. Gjyltene Rexhallari