Porta triumfale e Vevçanit së bashku me Kishën ortodokse dhe tabelën rrugore janë në territorin e Komunës së Vevçanit dhe jo në atë të Strugës. Kështu thotë Ministri i Pushtetit Lokal, Tahir Hani i cili nëpërmjet Televizionit ALSAT-M iu përgjigj kërkesës së bashkëqytetarit të tij, kreut të komunës së Strugës, Zijadin Sela i cili kishte kërkuar të dijë nëse ato janë ndërtuar në territorin e komunës së Strugës apo të Vevçanit.
"Toka në të cilën është ndërtuar porta dhe kisha ndodhet në territorin Komunës së Vevçanit pra në Komunën kadastrale Vevçan dhe nuk është pjesë e Komunë së Strugës. Nëse në pyetjen e parë ka një përgjigje të saktë se ky objekt ndodhet në kuadër të Komunës së Vevçanit por këtu duhet të ngritet edhe një problem pasi ajo rrugë është rrugë rajonale dhe në këtë drejtim detyrimisht Komuna e Vevçanit duhet të ketë parasysh gjatë ndërtimit të objekteve në rrugë rajonale për të cilën kryetari i Komunës së Strugës duhet të kërkojë përgjigje nga NP Rrugët Shtetërore të Maqedonisë", tha Tahir Hani, Ministër i Pushtetit Lokal.
Lidhur me tabelat e hequra nga territori i Vevçanit që ishin edhe në shqip, Ministri i Pushtetit Lokal thotë se duhet pasur kujdes pasi pikërisht Vevçani gjendet mes komunave shqiptare dhe rruga që kalon përmes saj i lidhë ati mes veti.
"Kryetari i Komunës së Vevçanit nuk duhet të veprojë me paragjykime në drejtim të shmangies së tabelave në rrugën rajonale Strugë-Dibër, që është gjithashtu rruga edhe për në Vevçan dhe Podgorcë duhet që tabelat të jenë tre gjuhësore pasi paragjykimet negative ndaj dy komuniteteve ndikojnë negativisht. Derisa ajo është një rrugë rajonale që lidhë disa komuna, atë të Strugës, Vevçanit, atë të Qendrës Zhupë, të Dibrës ku qytetarët dhe lokalitetet janë shumë të ndërlidhura sepse Komuna e Vevçanit është në mesin e territorit të Strugës dhe unë mendojë se Vevçani duhet të ketë kujdesë dhe nuk do të duhet të ndërmarr një veprim të tillë", tha Tahir Hani, Ministër i Pushtetit Lokal.
Lidhur me këtë rast , kryetari i komunës së Strugës, kishte paralajmëruar rrënimin e këtyre objekteve dhe kthimin e tabelës edhe në gjuhën shqipe nëse vërtetohet se ato ndodhen në territorin e Komunës së Strugës. I pyetur të komentoj prononcimin e ministrit të pushtetit lokal, Tahir Hani, Sela tha se do të prononcohet vetëm pasi të ketë marr përgjigje me shkrim. Valmir Kuçi