E përditshmja në gjuhën maqedonase 'Dnevnik', në numrin e saj të sotëm duke u thirrur në burime nga brenda VMRO-DPMNE-së, shkruan për të gjitha mundësitë të cilat i shqyrton partia e Gruevskit për të zhbllokuar punën e Kuvendit. Sipas gazetës, nuk përjashtohet mundësia e ngritjes së iniciativës për ndërrimin e Rregullores së Kuvendit, me qëllim që në rregulloren e re të inkorporohet kufizimi i fjalimeve gjatë punës së komisioneve, gjë që nuk e përmban rregullorja aktuale. Por kjo sipas burimeve të afërta të gazetës me VMRO-DPMNE-në do të hapte Kutinë e Pandorës, dhe ka gjasa shumë të mëdha që kriza të thellohet edhe më tepër. Megjithatë gjithnjë duke iu referuar shkrimit të gazetës Dnevnik si variant më i kapshëm është që VMRO-DPMNE të tërheq projekt ligjin dhe të njëjtin ta propozoj me procedurë të shkurtuar, duke anashkaluar kështu debatin në Komisione. Por edhe kjo, siç shkruan gazeta, nuk paraqet garanci tek VMRO-DPMNE se do të kalojë ligji, ngase nga BDI-ja e Ahmetit kanë shqyrtuar edhe këtë opsion dhe kanë paralajmëruar se po qe se vjen deri tek një situatë e këtillë atëherë ata do të përgatisin me mijëra amendamente.
"Secili grup parlamentar ka të drejtë të propozoj ligje, edhe ne e kemi të drejtën të mos lejojmë miratimin e tyre, se cilën variant, cilën strategji do të përdorin ata për të tërhequr, ose për të dalë nga kjo situatë mbetet e drejtë e tyre, me rëndësi është që ne mbetemi në qëndrimin tonë të prerë se nuk lejojmë miratimin e ligjit pavarësisht strategjive që do të përdoren. Kemi theksuar se nëse dikush do të tenton të shkel mbi rregulloren, të shkel mbi kushtetutën dhe të drejtën demokratike që e kanë shqiptarët për të penguar majorizimin ajo do të shkakton një krizë të thellë, politike dhe institucionale", u shpreh Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.
Osmani madje paralajmëroi se jo vetëm ligjin e Branitellave por subjekti i tij nuk do të lejoj që të miratohet asnjë ligj me mbivotim etnik.
"Absolutistë jemi të bindur se nuk do të lejojmë sepse kemi mekanizma të mjaftueshëm institucional për të penguar miratimin e këtij, jo vetëm të këtij ligji, por çfarëdo ligji tjetër që mund të miratohet me mbivotim etnik. Ka kaluar koha e miratimit të ligjeve pa vullnetin e shqiptarëve. Ky është një shembull konkret se si shqiptarët më nuk do të lejojnë mbivotime etnike ose të kalojnë ligje pa vullnetin e tyre", tha Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.
Pavarësisht kësaj, në Kuvend vazhdon situata status quo. Kreu i komisionit Cvetanka Ivanova, që vjen nga radhët e LSDM-së, vazhdon në kontinuitet të thërras seancën e Komisonit për punë dhe politikë sociale, derisa koordinatori i grupit parlamentar të BDI-së Talat Xhaferri tanimë tre javë vazhdon fjalimin e tij përmes formave të ndryshme, të njohura për opinionin. Bedri Rexhallari